Genta Tafa (Bungo)

Diplomuar “Jurist” në vitin 1993  në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Universiteti i Tiranës. Ka mbrojtur gradën “Doktor” në maj 2008 dhe që nga qershori 2014 mban gradën shkencore “Profesor i asociuar”. Në periudhën 1993-1996, znj. Tafa (Bungo) ka punuar si juriste në Drejtorinë Juridike dhe Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Nga shtatori i vitit 2003 deri në qershor 2004 ka mbajtur detyrën e përgjegjëses së sektorit juridik në Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit dhe më pas është emëruar drejtore e Drejtorisë Juridike dhe Integrimit në po këtë ministri. Znj. Genta Tafa (Bungo) ka një eksperiencë të gjatë si lektore, në universitete të ndryshme publike dhe jopublike të vendit, nga viti 1996 deri në vitin 2016. Ajo është licencuar nga ministri i Drejtësisë si përmbaruese gjyqësore private në vitin 2013, ndërsa përpara se të zgjidhej Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në qershor 2017, ka mbajtur postin e Sekretares së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Prof. asoc. dr. Genta Tafa (Bungo) është autore e disa teksteve universitare dhe shumë artikujve shkencorë, ndërsa ka marrë pjesë si referuese në shumë konferenca e seminare. Është njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze, italiane dhe pak e gjuhës gjermane. Nga 17 korriku 2017 është Kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.