Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mori pjesë në Takimin Bilateral Shqipëri – BE për kapitullin 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, zhvilluar në Bruksel më 24 nëntor 2022. KPK-ja u përfaqësua nga Kryetarja, znj. Pamela Qirko, në delegacionin e drejtuar nga Kryenegociatorja znj. Majlinda Dhuka, si dhe nga Zv/Ministrja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni, në rolin e negociatores për kapitullin.

Komisioni, në prezantimin e bërë përpara ekspertëve të Komisionit Evropian parashtroi ecurinë e deritanishme të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, si dhe pritshmëritë për përmbylljen e tij brenda afateve kushtetuese.

Nga fillimi i Vettingut deri më 23 nëntor 2022, KPK-ja ka dhënë 585 vendime për subjektet e rivlerësimit, nga të cilat:

· 233 vendime për konfirmimin në detyrë të 117 gjyqtarëve, 104 prokurorëve, 2 ish- inspektorëve në KLD, 1 inspektori në KLGJ dhe 9 ndihmësve/këshilltarëve ligjorë;

· 214 vendime për shkarkimin nga detyra të 127 gjyqtarëve, 83 prokurorëve, 1 inspektori në ILD, 1 inspektori në KLGJ dhe 2 ndihmësve ligjorë;

· 88 vendime për ndërprerje të procesit të rivlerësimit për 55 gjyqtarë, 21 prokurorë, 2 ish-inspektorë në KLD dhe 9 ndihmës ligjorë + 1 ish-prokuror (neni G i Aneksit të Kushtetutës);

· 8 vendime për pushimin e procesit për 3 gjyqtarë, 1 prokuror dhe 4 ndihmës ligjorë në Gjykatën e Lartë (neni 56 i ligjit nr. 84/2016);

· 38 vendime për përfundimin e procesit për 23 gjyqtarë, 13 prokurorë dhe 1 (ish- Kryeinspektori të KLD-së dhe 1 ish-inspektori të ILD-së (neni 95 i Kodit të Procedurave Administrative dhe neni 64 i ligjit nr. 96/2016);

· 4 vendime për pezullimin nga detyra të 3 prokurorëve dhe 1 ndihmëseje ligjore.

Në veçanti, gjatë vitit 2022, Komisioni ka dhënë 99 vendime, si dhe po vijon punën me ritëm të përshpejtuar, me objektiv përmbylljen brenda këtij viti të rreth 75% të listës së subjekteve të rivlerësimit.

Sipas përllogaritjeve, nga lista me 805 subjekte, Komisionit i mbetet për të rivlerësuar edhe 220 subjekte, të cilat KPK-ja është angazhuar t’i përmbyllë deri në shtator të vitit 2024, për t’i dhënë mundësi Institucionit të Komisionerëve Publikë të ushtrojë të drejtën e ankimit brenda mandatit kushtetues.

Takimi Bilateral u çel nga prezantimi i organeve të Vettingut, ku u vlerësua si thelbësor vijimi i reformës në sistemin e drejtësisë, si dhe u theksua rëndësia e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në negociatat e Shqipërisë për integrimin në BE.