Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i janë bashkuar nismës së shumë institucioneve shtetërore për të kontribuar përmes pagës së tyre në buxhetin e shtetit për përballimin e situatës së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr.243, datë 24.3.2020, të Këshillit të Ministrave.

Edhe njëherë KPK rreshtohet përkrah strukturave të larta shtetërore, duke demonstruar shpirtin e vullnetarizmit dhe të sakrificës në këtë periudhë të vëshirë për vendin dhe shoqërinë, ku problematika fokusohet tek shpëtimi i jetëve njerëzore dhe fatura financiare bëhet çështje jo vetëm e qeverisë, por e gjithë shoqërisë.

Në përgjigje të thirrjes për ndihmë, 8 komisionerë të KPK-së do të dhurojnë menjëhere 50% të pagës mujore neto, të muajit prill 2020. Dy komisionerë  të tjerë kanë perkrahur nismën, duke shprehur vullnetin të kontribuojnë nëpërmjet pagës sipas vlerësimit të tyre individual/ nëpërmjet llogarive në bankat  e nivelit të dytë. Nuk mund të kontribuojë një anëtar, i cili po trajtohet me pagesë të paaftësisë së përkohshme në punë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i angazhuar për të çuar përpara procesin me rëndësi kombëtare të vettingut në sistemin e drejtësisë, por njëkohësisht ndjen po të njëjtën përgjegjësi qytetare për situatën ku ndodhet vendi.

Duam të falënderojmë të gjithë ata, që sot janë në vijën e parë të ndihmës, të cilët në mënyrë vetmohuese vazhdojnë detyrat e tyre të përditshme jashtë shtëpisë, në mbështetje të të gjithëve në këtë situatë të pasigurive të mëdha.