Insidor Rexhepi

Këshilltar Ligjor

Diplomohet “Jurist” në vitin 2008, në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. Në vitet 2009-2012 ka ushtruar funksionin e inspektorit në sektorë të ndryshëm të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Tiranë. Në vitet 2012-2017 ka punuar si inspektor hetimi në Drejtorinë e Hetimit Tatimor. Ka ndjekur trajnime dhe specializime të vazhdueshme, si dhe është njohës i mirë i legjislacionit të fushës hetimore tatimore, hetimeve penale për krimet në fushën ekonomiko-financiare, pas një eksperience disavjeçare bashkëpunimi me Prokurorinë,  si me referimin, hetimin dhe dërgimin e shumë çështjeve për gjykim. Zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

Iglon Peçi

Këshilltar Ligjor

Diplomuar  “Jurist” në vitin 2000, në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. Në vitet 2000-2004 ka punuar si specialist në Drejtorinë Juridike të Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Në vitet 2004-2006 ka ushtruar funksionet si përgjegjës sektori i Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Ka marrë titullin “Avokat” që nga viti 2008. Në vitet 2007-2013 ka pasur postin e drejtorit të Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit​. Në dhjetor të vitit 2013 deri në shkurt të vitit 2015 ka ushtruar detyrën e drejtorit të Drejtorisë Juridike në Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe më pas atë të drejtorit të Drejtorisë së Legjislacionit pranë Ministrisë së Zhvillimit Urban. Zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

Ermir Mema

Këshilltar Ligjor

Diplomohet “Jurist” në vitin 2001, në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. Në vitin 2010  përfundon studimet master në Shkenca Administrative në “Albanian University”. Në vitin 2014 përfundon studimet master në “European Business Law”, në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. Në vitet 2002-2017 ka punuar pranë kompanisë “Telekom Albania”, si jurist i lartë dhe më pas si avokat i saj.  Është i specializuar në fushën e legjislacionit të biznesit dhe ka përvojë të gjatë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve gjyqësore. Ka kryer një sërë trajnimesh profesionale brenda dhe jashtë vendit. Zotëron gjuhën angleze dhe italiane.

Denata Stoja

Këshilltare Ligjore

Diplomohet “Jurist” në vitin 2005, në Fakultetin e Drejtësisë, Tiranë. Në vitin 2008 përfundon studimet master në “Queen’s University Belfast”, Britani e MadheNë vitet 2005-2013 ka punuar si juriste dhe avokate në studio të ndryshme ligjore vendase dhe të huaja, si edhe në Bankën Kombëtare TregtareGjatë viteve 2013-2016 ka mbajtur postin e drejtorit të  licencimit në Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit; gjatë kësaj detyre ka ushtruar edhe funksione të tjera, si kryetare e “Komisionit të apelimit të gjobave” për Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, si dhe anëtare pranë Bordit të Monitorimit të Lotarisë Kombëtare. Ka shërbyer për një periudhë 1-vjeçare si koordinatore pranë Njësisë së Transparencës dhe Antikorrupsionit në Kryeministri. Ka kryer trajnime të ndryshme  brenda dhe jashtë vendit. Është njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze dhe italiane.

Xhensila Pine

Komisionere

Diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Nga viti 2006 deri në 2009 ka kryer studimet pasuniversitare pranë Katedrës të së drejtës publike në Universitetin e Tiranës. Aktualisht po mbron gradën shkencore “Doktor” pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. Në vitet 2004-2005, znj. Pine ka punuar si juriste në Bankën Kombëtare Tregtare. Më tej, në 2006-2007, ajo ka mbajtur detyrën e përgjegjëses së sektorit të inspektimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Gjatë kësaj periudhe, znj. Pine ka qenë pjesë e grupit të punës për hartimin e ligjit ”Për parandalimin e pastrimit të parave”, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme brenda e jashtë vendit në këtë fushë. Nga viti 2011 ka qenë juriste e më pas Administratore e shoqërisë me kapital shtetëror “Bursa e Tiranës” sh.a. Znj. Xhensila Pine ka një eksperiencë rreth 17-vjeçare  në fushën e mësimdhënies, fillimisht si lektore e jashtme në Universitetin e Tiranës, nga viti 2000-2008, dhe më pas në universitete të ndryshme jopublike të vendit, për të drejtën kushtetuese. Ajo ka qenë gjithashtu trajnere pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike, për të drejtat e liritë themelore të njeriut dhe të drejtën e informimit. Ajo është njohëse e mirë e frëngjishtes dhe anglishtes. Në qershor 2017, znj.Pine u emërua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.​

Valbona Sanxhaktari

Komsionere

Diplomuar “Jurist” në vitin 1996 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2007, ajo është pajisur me licencën e avokatisë. Znj. Valbona Sanxhaktari, që nga viti 2014 mban gradën “Doktor Shkencash”. Karriera e saj profesionale ka nisur në vitin 1996,  fillimisht si asistentavokate. Nga gushti i vitit 1998 deri në tetor 2001, znj. Valbona Sanxhaktari ka mbajtur detyrën e inspektores pranë Drejtorisë së Inspektoratit të Lartë Shtetëror të Punës. Më tej, ajo ka punuar në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, e në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Znj. Sanxhaktari ka shërbyer si eksperte ligjore dhe konsulente në institucione publike dhe organizata të huaja, si UNDP dhe Banka Botërore. Mësimdhënia është një tjetër fushë ku ajo ka dhënë kontributin e saj si pedagoge që prej vitit 2006. Nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka ushtruar detyren e juristes në Njësinë e Legjislacionit dhe Akteve të Këshillit të Ministrave, në Kryeministri. Në qershor të vitit 2017, znj. Valbona Sanxhaktari u zgjodh nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.​

Suela Zhegu

Komisionere

Diplomuar “Jurist” në vitin 1995 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Znj. Suela Zhegu ka një eksperiencë prej 21 vitesh pa ndërprerje brenda sistemit të drejtësisë. Ka mbrojtur titullin “Avokat” në vitin 2003, ndërsa në 2012 ka fituar licencën “Për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësit”. Znj. Zhegu e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1996, duke ushtruar detyrën e ndihmësgjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për katër vite. Në vitin 2000, juristja Zhegu emërohet në organin më të lartë të sistemit të drejtësisë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke ushtruar për 13 vjet detyrën e përgjegjëses në sektorë të ndryshëm, kryesisht në sektorin e burimeve njerëzore dhe njëkohësisht autoritet përgjegjës i  KLD-së lidhur me deklarimet e pasurive të gjyqtarëve dhe subjekteve deklaruese në këtë institucion. Avokatja Zhegu në punën e saj ka marrë vlerësime profesionale të cilësuara “shumë mirë”. Ka mbrojtur gjuhët angleze dhe italiane. Ka qenë pjesëmarrëse në seminare kualifikimi të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës dhe trajnime të ndryshme, si: Sistemi i menaxhimit të informacionit të burimeve njerëzore; Programi i menaxhimit të lartë të burimeve njerëzore; Programi i menaxhimit operativ të burimeve njerëzore. Në qershor të 2017, znj. Zhegu u emërua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Roland Ilia

Kryetar/Komisioner

Diplomuar “Jurist” në vitin 1996 në Fakultetin Juridik, Universiteti i Shkodrës. Z. Ilia është licencuar në profesionin e avokatit në vitin 1997. Nga  viti 2001 deri në 2002 ka kryer studimet master në Universitetin e Kolnit në Gjermani dhe ka marrë titullin “Magister Legum” ( LLM).  Pedagogu Roland Ilia ka kryer kërkime shkencore në disa universitete prestigjioze të Europës, si në Koln, Firence dhe në Universitetin e Grazit në Austri, në fushën e së drejtës kushtetuese dhe administrative, si dhe në të drejtën ndërkombëtare private. Më tej, gjatë karrierës së tij, z. Ilia ka zhvilluar vizita studimore në firma avokatie dhe në institucionet e Bashkimit Europian. Po ashtu, ai ka një eksperiencë të gjatë si lektor, që prej vitit 1996, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe në universitete të tjera jopublike. Nga viti 2004 deri në 2007, z. Ilia ka shërbyer si ekspert i projekteve rajonale në organizatën gjermane “GTZ”. Komisioneri Ilia është njohës shumë i mirë gjuhëve të huaja anglisht, italisht dhe gjermanisht.Para se të emërohej nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në qershor 2017,  Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, z. Ilia mbante detyrën e zv.dekanit dhe shefit të departamentit të së drejtës civile në Fakultetin Juridik, Universiteti “Luigj Gurakuqi”. Në korrik të vitit 2023, Z. Roland Ilia mori detyrën e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, detyrë kjo të cilën do ta ushtrojë deri në 31 dhjetor 2024.

Pamela Qirko

Kryetare

Diplomuar si juriste në vitin 2001, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2003 është certifikuar nga ISAAT për “Konsulencë ligjore të shoqërive tregtare”. Në vitin 2004 ka fituar licencën e avokatit nga Dhoma e Avokatisë Tiranë, me të drejtë përfaqësimi në të gjitha shkallët e Gjyqësorit. Ajo e ka nisur karrierën e saj profesionale si juriste  në vitin 2001, pranë  kompanisë  “AMC” sh.a. (sot Telekom Albania, pjesë e “Deutsche Telekom Group”), për të qëndruar në këtë detyrë deri në vitin 2007. Pas kësaj ekperience profesionale,  znj. Qirko u promovua dhe mori emërimin si “Juriste e lartë”, post ky që e mbajti deri në qershor të vitit 2017, duke kontribuuar në zhvillimin e mëtejshëm dhe në suksesin e kësaj shoqërie. Qirko ka kryer disa specializime jashtë vendit në fusha të ndryshme të drejtësisë dhe menaxhimit nga institucione të ndryshme evropiane, si: Akademia e Ligjit Europian (ERA) në Trier, Gjermani; Gjykata Europiane e Drejtësisë (CJEU) në Luksemburg; BIT Consultants në Varshavë, Poloni, si dhe në Universitetin e Sheffield-it në Selanik, Greqi. Znj. Qirko zotëron shumë mirë gjuhët angleze, franceze, italiane, ndërsa është edhe njohëse e gjuhës greke. Në qershor të vitit 2017, znj. Pamela Qirko u emërua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si  Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe tre vjet më pas, në korrik të vitit 2020, me vendimin e Mbledhjes së Komisionit, u zgjodh në detyrën e kryetares së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. ​

 

Olsi Komici

Komisioner

Diplomuar “Jurist” në vitin 1998 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2003 z. Komici është trajnuar nga USAID dhe World Learning në Edinburg pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Skocisë mbi  procesin  e vetëfinancimit të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërsa në vitin 2004 ai mori të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit. Z. Komici ka një eksperiencë të gjatë profesionale në administratën shtetërore në pozicione të ndryshme pune, si jurist, ekspert ligjor, audit, e deri në nivele drejtuese. Është njohës shumë i mirë i legjislacionit dhe problematikës në fushën e pronësisë, me një eksperiencë rreth 7-vjeçare në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zyra të ndryshme  vendore dhe në atë  qendrore. Gjithashtu, në vitet 2005 – 2006 ka punuar si jurist pranë Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe ka ushtruar detyrën e kryetarit të komanduar të Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ish-Pronarëve, qarku Tiranë. Më tej, z. Komici ka punuar për një periudhë 7-vjeçare në fushën e kredive të këqija, në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, ku ka mbajtur detyra të ndryshme, përfshirë edhe postin e zv.drejtorit të përgjithshëm. Për dy vjet, z. Komici ka punuar në Kryeministri si ekspert ligjor, anëtar i Task-Forcës “Për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrën e tjetërsimit të pronës së paluajtshme shtetërore në zonën Vlorë-Sarandë“. Ai ka ushtruar profesionin e avokatit në periudhën maj 2016 – maj 2017 dhe pas kësaj ka kryer  detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t deri në mandatimin e tij nga Kuvendi  i Republikës së Shqipërisë si Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Komisioneri Komici është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe italiane.