Pamela Qirko
Komisionere
Diplomuar si juriste në vitin 2001, në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2003 është certifikuar nga ISAAT për “Konsulencë ligjore të shoqërive tregtare”. Në vitin 2004 ka fituar licencën e avokatit nga Dhoma e Avokatisë Tiranë, me të drejtë përfaqësimi në të gjitha shkallët e Gjyqësorit. Ajo e ka nisur karrierën e saj profesionale si juriste në vitin 2001, pranë kompanisë “AMC” sh.a. (sot Telekom Albania, pjesë e “Deutsche Telekom Group”), për të qëndruar në këtë detyrë deri në vitin 2007. Pas kësaj ekperience profesionale, znj. Qirko u promovua dhe mori emërimin si “Juriste e lartë”, post ky që e mbajti deri në qershor të vitit 2017, duke kontribuuar në zhvillimin e mëtejshëm dhe në suksesin e kësaj shoqërie. Qirko ka kryer disa specializime jashtë vendit në fusha të ndryshme të drejtësisë dhe menaxhimit nga institucione të ndryshme evropiane, si: Akademia e Ligjit Europian (ERA) në Trier, Gjermani; Gjykata Europiane e Drejtësisë (CJEU) në Luksemburg; BIT Consultants në Varshavë, Poloni, si dhe në Universitetin e Sheffield-it në Selanik, Greqi. Znj. Qirko zotëron shumë mirë gjuhët angleze, franceze, italiane, ndërsa është edhe njohëse e gjuhës greke. Në qershor të vitit 2017, znj. Pamela Qirko u emërua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe tre vjet më pas, në korrik të vitit 2020, me vendimin e Mbledhjes së Komisionit, u zgjodh Kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, detyrë të cilën e ushtroi deri në 20 korrik 2023.