Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 2.3.2023, për subjektin e rivlerësimit, z. Laurent Fuçia bazuar në ligjin nr. 84/2016, vendosi:
1. Konfirmim në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Laurent Fuçia, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.
2. Në zbatim të pikës 4, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, të transferojë pranë organit kompetent ILD, për inspektim çështjen civile me nr. 2904 akti, me vendim të dhënë në datë 7.10.2013, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, të marrë nga subjekti i rivlerësimit.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Suela Zhegu, znj. Etleda Çiftja relatore, znj. Alma Faskaj anëtare do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, me përjashtim të pikës 2, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Ky vendim u shpall sot, në datën 8.3.2023.