Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe Institucioni i Komisionerëve Publikë bashkorganizuan konferencën “7 vite rivlerësim kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që shënon edhe përfundimin e procesit të vettingut. Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues dhe anëtarë të organeve të rivlerësimit, të drejtësisë, ministra, ambasadorë, përfaqësues ndërkombëtarë, drejtues të institucioneve të tjera të pavarura, përfaqësues të shoqërisë civile, medias etj.
Në fjalën e mbajtur, Kryetari i KPK-së, z. Roland Ilia, bëri një bilanc të veprimtarisë së Komisionit, ku theksoi se përgjatë 7 viteve të fundit u realizua një proces i plotë, i thellë dhe gjithëpërfshirës për 805 subjekte rivlerësimi.
Ai nënvizoi se 89% e vendimeve të KPK-së kanë mbetur të pandryshuara, tregues ky shumë i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e vendimmarrjes së Komisionit.
Kryetari i KPK-së vlerësoi kontributin e qytetarëve në procesin e vettingut. “Në rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve një rol tjetër të rëndësishëm kanë luajtur edhe qytetarët shqiptarë, të cilët përmes 6620 denoncimeve të përcjella pranë Komisionit kanë kontribuuar në kryerjen e një procesi sa më të drejtë dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh z. Ilia.
Ai falënderoi dy ish-drejtueset e KPK-së, znj. Genta Tafa (Bungo) dhe znj. Pamela Qirko, për rolin dhe kontributin e tyre në ngritjen dhe konsolidimin e institucionit, si dhe përfaqësimin e tij me dinjitet në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Z. Ilia nënvizoi se përmbyllja me sukses e procesit të rivlerësimit, me kontribut të drejtpërdrejtë në forcimin e sundimit të ligjit dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës, do të sjellë një avancim më të shpejtë të vendit në procesin e integrimit në BE.