Anëtarët e organeve të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë zhvilluan sot një takim me Komisionerin për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, z. Oliver Varhelyi. Në takim u diskutua mbi ecurinë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, rezultatet e deritanishme dhe sfidat në vazhdim. Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), znj. Pamela Qirko i shprehu Komisionerit Varhelyi falënderimet e Komisionit për mbështetjen e pakursyer dhe të vazhdueshme të Komisionit Evropian për reformën në drejtësi dhe procesin e vettingut, ndërsa nënvizoi se KPK do të vijojë me rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve deri në përmbyllje të procesit, me paanshmëri, integritet dhe profesionalizëm pavarsisht vështirësive.

Nga ana e tij, Komisioneri Varhelyi e cilësoi realizimin e procesit të rivlerësimit një arritje themelore për të ardhmen e vendit, si dhe shprehu vlerësime për punën e deritanishme të organeve të vetingut. Njëkohësisht, Komisioneri Varhelyi u shpreh se sulmet ndaj anëtareve të organeve të rivlerësimit dhe familjarëve të tyre duhet të ndalojnë. Ai inkurajoi anëtarët e organeve të rivlerësimit të vijojnë me procesin bazuar mbi themelet e forta të punës së bërë, si edhe garantoi mbështetjen e plotë të Komisionit Evropian në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Takimi i z. Varhelyi me anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare të Komisionerit në Tiranë.