Brunilda Bekteshi (Vasha)

Komisionere

Diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Universiteti i Tiranës. Znj. Brunilda Bekteshi (Vasha) është licencuar si avokate në vitin 2003, ndërsa në vitin 2012 ajo ka marrë edhe licencën si përmbaruese gjyqësore. Eksperienca e saj profesionale ka nisur në vitin 2000, fillimisht si asistente ligjore në një studio avokatie. Nga viti 2001 deri në vitin 2008, znj. Bekteshi (Vasha) ka shërbyer si juriste në KESH sh.a., OSSH sh.a. Pas kësaj eksperience, ajo fitoi titullin diplomate pranë Ambasadës Shqiptare në Turqi për shkak të funksionit të bashkëshortit. Pasrikthimit në atdhe, juristja Bekteshi (Vasha), për një periudhë trevjeçare, ushtroi profesionin e saj të juristes në pozicionin e përgjegjëses së sektorit ligjor në kompaninë “CEZ Shpërndarje”. Në vitin 2013, ajo punoi pranë OSHEE-së si përgjegjëse e sektorit të çështjeve ligjore në drejtorinë ligjore. Po në këtë institucion, ajo ka mbajtur edhe postin e shefes së sektorit të marrëdhënieve me zyrën e përmbarimit. Përvoja e punës së saj lidhet me fusha të caktuara të së drejtës, si çështjet tregtare, administrative, gjyqësore civile – penale dhe ekzekutive. Znj. Bekteshi (Vasha) është njohëse e mirë e gjuhëve të huaja anglisht dhe italisht. Në qershor të vitit 2017, avokatja Bekteshi u zgjodh nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.