Këshilltare Ligjore

Znj. Buljana Hodaj është diplomuar në vitin 2009 në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2013 ka mbrojtur diplomën master shkencor mbi të Drejtën Ndërkombëtare Tregtare në universitetin “New York”, Tiranë. Nga viti 2016 deri në vitin 2017, znj. Hodaj ka ndjekur programin master të avancuar akademik mbi mekanizmat ligjorë dhe funksionimin e tregut, në aspektin ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë të Bashkimit Europian, studime këto të cilat i ka mbrojtur me diplomë në universitetin publik të Ghentit, Belgjikë. Znj. Buljana Hodaj ka eksperiencë profesionale pranë dy studiove ligjore ndërkombëtare në Shqipëri, fillimisht si praktikante ligjore dhe, më pas, si asistente ligjore. Gjatë vitit 2018 ka mbajtur detyrën e inspektores në sektorin e kontrollit juridik pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave, më pas është emëruar specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë. Znj. Hodaj gëzon licencën e avokatit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Tiranë. Gjithashtu, ka kryer trajnime profesionale pranë organizatave ndërkombëtare EURALIUS V dhe GIZ GmbH, si dhe është njohëse e mirë e gjuhës angleze, italiane dhe spanjolle.