Këshilltare Ekonomike

Diplomohet në vitin 2006, në degën Financë-Bankë, Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Tiranës. Karriera e saj profesionale ka nisur në tregun bankar. Për rreth 14 vjet, znj. Doko ka punuar në banka të nivelit të dytë, fillimisht si specialiste e lartë në sektorin e kredidhënies për korporatat, e më pas si menaxhere e këtyre marrëdhënieve. Para se të emërohej këshilltare ekonomike në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ajo ka mbajtur postin e drejtores në njësinë e rikuperimeve të biznesit në bankë. Znj. Eleana Doko, paralelisht me punën e drejtueses në bankë, ka punuar edhe në kompani të pavarura konsulence, në shoqëri civile, si dhe si anëtare e bordit drejtues në një organizatë ndërkombëtare. Znj. Doko ka kryer ciklin e plotë të studimeve në Fakultetin Juridik, ku është diplomuar për të drejtën civile. Në vitin 2012, ka fituar licensën si vlerësuese për pasuritë e paluajtshme. Aktualisht, znj. Doko po ndjek online masterin për “Qeverisje të hapur” në Universitetin e Stokholmit, Suedi. Ajo është bërë pjesë e disa trajnimeve në fushën e financës dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Është njohëse e mirë e gjuhës angleze, italiane dhe greke.