Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore, më datë 04.03.2019, për subjektin e rivlerësimit, znj. Marsida Xhaferrllari, rezultoi se:
- Shumica e anëtarëve të panelit arritën në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka humbur statusin e gjyqtarit.
- Trupi gjykues vërtetoi faktin se, subjekti i rivlerësimit, nuk i është nënshtruar testimit pranë Shkollës së Magjistraturës siç parashikohet në pikën 2 dhe 4 të nenit 42, të ligjit nr. 84/2016, për subjektet e rivlerësimit që nuk e kanë statusin e magjistratit.
- Duke qënë se ligji për rivlerësimin kalimtar, detyron Komisionin që në vlerësimin e aftësive profesionale, të marrë në konsideratë rezultatet e testimit pranë Shkollës së Magjistraturës, trupi gjykues, gjendet në pamundësi të realizojë rivlerësimin kalimtar të subjektit të rivlerësimit.
Për sa më lart bazuar në pikën 6 të nenit 55, në pikën 6 të nenit 4 të ligjit nr. 84/2016, si dhe në nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative, sot më datë 11.03.2019, me shumicë votash vendosi:
Të deklarojë të përfunduar procesin e rivlerësimit kalimtar për subjektin e rivlerësimit, znj. Marsida Xhaferrlari, me detyrë Kryeinspektore e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pa një vendim përfundimtar të çështjes, për shkak se objekti për të cilin ka nisur procedura është bërë i pamundur.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Firdes Shuli, z. Roland Ilia relator, znj. Xhensila Pine anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.