Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit zhvilluan sot, më 1 korrik 2022, një takim me një delegacion nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Takimi u zhvillua në kuadër të misionit faktmbledhës në Tiranë të dy bashkëraporterëve të Asamblesë së Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Z. Joseph O’Reilly dhe Z. Asim Mollazada, si edhe Z. Bas Klein, Zëvendesshef i Sekretariatit të Komisionit të Monitorimit të AP të KiE-së.
Tematika kryesore e takimit ishte reforma në sistemin e drejtësisë dhe procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), znj. Pamela Qirko bëri një rezyme të veprimtarisë 5-vjeçare të Komisionit, duke u ndalur te vështirësitë e hasura, si edhe sfidat me të cilat janë përballur anëtarët përgjatë procesit.
Znj. Qirko i garantoi përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të KiE-së se Komisioni do të vijojë me përkushtim, paanshmëri dhe profesionalizëm angazhimin e tij për të përfunduar tërësisht procesin e rivlerësimit për të gjithë subjektet e listët deri ne fund te vitit 2024, duke kontribuar në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të KiE-së kanë inkurajuar anëtarët e Komisionit për të vijuar procesin e rivlerësimit, duke e cilësuar atë si një mision thelbësor për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.