Anëtarët e tre organeve të rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë zhvilluan sot, datë 13 Shkurt 2024, një takim me Drejtoren për Ballkanin Perëndimor, në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit znj. Valentina Superti, njëkohësisht drejtuesja e re bordit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, si dhe me drejtuesen e departamentit të Shtetit të së Drejtës dhe Qeverisjes së Mirë në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, znj. Lenka Vitkova.
Në këtë takim kryetari i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Z. Roland Ilia, pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri znj. Valentina Superti, bëri një bilanc të punës së kryer deri tani nga ana e KPK-së si dhe asaj që mbetet për t’u përfunduar deri në fund të mandatit kushtetues.
Z. Ilia shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian i ka dhënë reformës në drejtësi dhe institucioneve të vettingut. Po ashtu ai vlerësoi bashkëpunimin me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), si dhe eksperiencën e tyre profesionale.
Në ëmër të Komisionit, Ilia garantoi përfaqesuesit e lartë të Komisionit Evropian se 12 anëtarët e shkallës së parë të Vettingut dhe stafi mbështetës, do ta përmbyllin me sukses këtë proces historik për vendin dhe ecurinë e tij drejt Bashkimit Evropian, në funksion të forcimit të shtetit ligjor dhe luftës ndaj korrupsionit.
Nga ana e saj, znj. Superti vlerësoi rezultatet e deritanishme, kontributin e organeve të rivlerësimit kalimtar si dhe angazhimin e treguar nga këto institucione për të përmbyllur me sukses këtë proces të rëndësishëm.
Znj. Valentina Superti siguroi se BE do të vijojë të mbështesë Shqipërinë.