Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 23.11.2018 për subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cani, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 27.11.2018 vendosi:
- Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Besnik Cani, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.
- Transferimin e çështjeve pranë organit kompetent për inspektim e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore sipas pikës 4 të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016, si më poshtë vijon:
a) Praktikës së marrëdhënies juridiko – civile ndërmjet subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me shoqërinë “K…i” shpk;
b) Dosjes së procedimit penal me nr. 1079 të vitit 2012 si dhe praktikës për përfitmin e statusit të familjes së pastrehë në bazë të vendimit nr. 14 të datës 28.03.2013 të Këshillit Bashkiak Fier;
c) Çështjes nr. 1290 të vitit 2015, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan;
d) Çështjes nr. 1380 të vitit 2006, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë;
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga z. Olsi Komici, z. Lulzim Hamitaj relator, znj. Brunilda Bekteshi anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve .
Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.