Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se seanca dëgjimore për subjektin e rivlerësimit, z. Taulant Tafa, nuk u zhvillua e plotë. Nga salla e seancave publike, subjekti i rivlerësimit kërkoi shtyrje të seancës dëgjimore me argumentin se përfaqësuesi i tij ligjor ishte në pamundësi për të marrë pjesë në seancë për shkak të një angazhimi në një tjetër seancë gjyqësore dhe se i nevojitej kohë shtesë që të njihej me materialet e dosjes, me qëllim mbrojtjen e tij në këtë proces rivlerësimi.
Në këto kushte, trupi gjykues, i përbërë nga z. Olsi Komici kryesues, znj. Xhensila Pine relatore dhe znj. Firdes Shuli anëtare, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, z. Stiven Kessler, dhe pasi mori në shqyrtim kërkesën, si dhe verifikoi prokurën e lëshuar nga subjekti i rivlerësimit, vendosi t’i japë kohë subjektit dhe përfaqësuesit të tij ligjor për t’u përgatitur, duke e shtyrë kështu seancën dëgjimore për në datën 19.4.2023, ora 13:00.