Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore, në datë 10.3.2021 për subjektin e rivlerësimit, znj. Irida Kacerja bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, në datën 16.3.2021, vendosi:
Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Irida Kacerja, gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër/kandidate për Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Në bazë të pikës 4 të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016, të transferojë pranë organit kompetent për inspektim në rast se evidenton shkaqe që përbëjnë shkelje disiplinore, ose në rast se evidenton shkaqe për t’u marrë parasysh në vlerësimin periodik për:
– çështjen e regjistruar më datë 30.4.2010, përfundunduar me vendim nr. 2063, datë 26.9.2011;
– çështjen e regjistruar më datë 15.10.2010, përfundurar mëe vendim nr. 2457, datë 11.10.2012;
– çështjen e regjistruar më datë 8.11.2017, përfunduar me vendim nr. 935, datë 9.11.2017.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Valbona Sanxhaktari, znj. Etleda Çiftja relatore, znj. Genta Tafa Bungo anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.