Olsi Komici

Komisioner

Diplomuar “Jurist” në vitin 1998 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2003 z. Komici është trajnuar nga USAID dhe World Learning në Edinburg pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Skocisë mbi  procesin  e vetëfinancimit të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërsa në vitin 2004 ai mori të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit. Z. Komici ka një eksperiencë të gjatë profesionale në administratën shtetërore në pozicione të ndryshme pune, si jurist, ekspert ligjor, audit, e deri në nivele drejtuese. Është njohës shumë i mirë i legjislacionit dhe problematikës në fushën e pronësisë, me një eksperiencë rreth 7-vjeçare në sistemin e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në zyra të ndryshme  vendore dhe në atë  qendrore. Gjithashtu, në vitet 2005 – 2006 ka punuar si jurist pranë Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe ka ushtruar detyrën e kryetarit të komanduar të Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës ish-Pronarëve, qarku Tiranë. Më tej, z. Komici ka punuar për një periudhë 7-vjeçare në fushën e kredive të këqija, në Agjencinë e Trajtimit të Kredive, ku ka mbajtur detyra të ndryshme, përfshirë edhe postin e zv.drejtorit të përgjithshëm. Për dy vjet, z. Komici ka punuar në Kryeministri si ekspert ligjor, anëtar i Task-Forcës “Për verifikimin e ligjshmërisë dhe mënyrën e tjetërsimit të pronës së paluajtshme shtetërore në zonën Vlorë-Sarandë“. Ai ka ushtruar profesionin e avokatit në periudhën maj 2016 – maj 2017 dhe pas kësaj ka kryer  detyrën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t deri në mandatimin e tij nga Kuvendi  i Republikës së Shqipërisë si Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Komisioneri Komici është njohës shumë i mirë i gjuhës angleze dhe italiane.