Suela Zhegu

Komisionere

Diplomuar “Jurist” në vitin 1995 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Znj. Suela Zhegu ka një eksperiencë prej 21 vitesh pa ndërprerje brenda sistemit të drejtësisë. Ka mbrojtur titullin “Avokat” në vitin 2003, ndërsa në 2012 ka fituar licencën “Për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësit”. Znj. Zhegu e ka nisur karrierën në sistemin gjyqësor në vitin 1996, duke ushtruar detyrën e ndihmësgjyqtares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për katër vite. Në vitin 2000, juristja Zhegu emërohet në organin më të lartë të sistemit të drejtësisë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke ushtruar për 13 vjet detyrën e përgjegjëses në sektorë të ndryshëm, kryesisht në sektorin e burimeve njerëzore dhe njëkohësisht autoritet përgjegjës i  KLD-së lidhur me deklarimet e pasurive të gjyqtarëve dhe subjekteve deklaruese në këtë institucion. Avokatja Zhegu në punën e saj ka marrë vlerësime profesionale të cilësuara “shumë mirë”. Ka mbrojtur gjuhët angleze dhe italiane. Ka qenë pjesëmarrëse në seminare kualifikimi të organizuara nga Shkolla e Magjistraturës dhe trajnime të ndryshme, si: Sistemi i menaxhimit të informacionit të burimeve njerëzore; Programi i menaxhimit të lartë të burimeve njerëzore; Programi i menaxhimit operativ të burimeve njerëzore. Në qershor të 2017, znj. Zhegu u emërua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.