Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pasi:

·         shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit për subjektin e rivlerësimit, z. Gjergji Tako;

·         zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrativ; 

·         dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancat dëgjimore, përkatësisht në datat 27.4.2022 dhe 15.6.2022, në respektim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor;

·         njoftoi subjektin dhe shpalli vendimin e ndërmjetëm nr. 9, në datë 17.6.2022, për pezullimin nga detyra të z. Gjergji Tako, për një periudhë 1-vjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.

·         administroi rezultatet e arritura nga subjekti gjatë programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës dhe, pasi i diskutoi ato në dhomë këshillimi, e konsideron të përfunduar seancën dëgjimore dhe, për rrjedhojë,  procesin për rivlerësimin e subjektit Gjergji Tako.

Trupi gjykues, i përbërë nga z. Roland Ilia kryesues, znj. Etleda Çiftja relatore dhe znj. Pamela Qirko anëtare,

VENDOSI:

Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gjergji Tako, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. 

Vendimi, i arsyetuar me shkrim, u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve pas përfundimit të seancës dëgjimore dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit, në përputhje me pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016.

Ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik, 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.

Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ky vendim u shpall sot, në datë 15.9.2023.