Kryetarja e Komisionit të Pavarur te Kualifikimit (KPK) Znj. Pamela Qirko dhe anëtarë të Komisionit morën pjesë në seancën dëgjimore të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Seanca u zhvillua në vazhdën e diskutimeve të nisura nga Kuvendi për ndërmarrjen e ndryshimeve kushtetuese në funksion të zgjatjes së mandatit të organeve të vettingut.

Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u ndal te nevoja e zgjatjes së mandatit kushtetues të institucionit, për të garantuar vijimësinë dhe finalizimin e procesit të rivlerësimit, për të gjithë subjektet e sistemit. Znj. Qirko theksoi se kalimi i pjesës së mbetur të subjekteve të rivlerësimit tek Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të sillte trajtim të pabarabartë të subjekteve dhe do të kërkonte më shumë kohë, procedura e burime njerëzore.

Marrë në konsideratë, analizën e punës 4-vjeçare të Komisionit, Kryetarja Pamela Qirko u shpreh se do të ishte në dobi të procesit përmbyllja e tij nga të njëjtat institucione, pasi ato kanë sot të gjithë eksperiencën dhe vullnetin për ta kryer atë të plotë.

Të pranishëm në mbledhje ishin Komisionerët Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja dhe Valbona Sanxhaktari nga KPK, Komisionerët Publikë, si edhe nëpërmjet platformës Zoom mori pjesë edhe z. Maciej Popoëski, Kryetar i Bordit të Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit pranë Komisionit Europian.

Lexo/Shkarko Fjalën e Plotë