Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) pritën në një takim zyrtar një delegacion të nivelit të lartë nga sistemi i Prokurorisë së Republikës së Kosovës. Fokus i këtij takimi ishte reforma në sistemin e drejtësisë dhe në veçanti përvoja e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përgjatë këtyre viteve, si shkalla e parë e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, znj. Pamela Qirko dhe komisionerët e njohën delegacionin me proceset e punës së institucionit dhe ecurinë e procesit të rivlerësimit, duke u ndalur te përvojat pozitive, hapat proceduralë, vështirësitë e procesit, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) dhe institucionet ndihmëse.
Nga ana e tyre, zyrtarët e lartë të sistemit të prokurorisë së Kosovës shprehën interes për të përfituar sa më shumë nga eksperienca e Shqipërisë në procesin e vettingut, si dhe për të bashkëpunuar në të ardhmen me KPK-në, duke kërkuar ekspertizën e Komisionit në shërbim të reformës në drejtësi në Kosovë. Ata e cilësuan përvojën e deritanishme 6-vjeçare të Komisionit të vyer dhe të dobishme.