Znj. Pamela Qirko i dorëzon detyrën Kryetarit të ri të KPK-së, z. Roland Ilia

Drejtuesja në largim e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), znj. Pamela Qirko, i dorëzoi detyrën Kryetarit të ri të zgjedhur nga Mbledhja e Komisionerëve, z. Roland Ilia, përmes një ceremonie të zhvilluar sot, më 21.07.2023, në ambientet e Komisionit.

Znj. Qirko e uroi Kryetarin Ilia për marrjen e detyrës, duke i bërë gjithashtu një përmbledhje të rezultateve dhe punës së Komisionit përgjatë 3 viteve të fundit nën drejtimin e saj. Nga nisja e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, Komisioni ka dhënë deri tani 682 vendime nga 805 subjekte të listës totale.

Për vitin 2023, objektivi i Komisionit është përfundimi i 90% të listës së subjekteve ex officio. Ndërsa për vitin e fundit të mandatit të KPK-së, 2024, synohet përfundimi i të gjithë procesit deri në shtator të këtij viti, për t’i dhënë kohë Komisionerëve për arsyetimin e vendimeve, si dhe procedurave të mundshme të ankimimit.