Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 11.12.2018 për subjektin e rivlerësimit, znj. Emona Muçi, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 13.12.2018 vendosi:
- Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Emona Muçi, gjyqtare dhe kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec.
- Transferimin e çështjes nr. 00112-291, e vitit 2018 që i përket një denoncimi, pranë organit kompetent, për t’u marrë parasysh gjatë vlerësimit periodik të saj, sipas pikës 4 të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Suela Zhegu, znj. Xhensila Pine relatore, znj. Brunilda Bekteshi anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ndaj këtij vendimi, me përjashtim të pikës 2, mund të ushtrohet ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.