Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 26.9.2023, për subjektin e rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi, bazuar në ligjin nr. 84/2016 me shumicë votash vendosi:

1.      Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, znj. Suela Salavaçi, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

2.      Në zbatim të pikës 4 të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, të referojë pranë organit kompetent (ILD), për të vlerësuar nëse ka shkaqe për hetim disiplinor nga ana e këtij organi, lidhur me kallëzimin e regjistruar me nr. 1253, të vitit 2014, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Vendimi, i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Alma Faskaj, znj. Suela Zhegu relatore, znj. Etleda Çiftja anëtare, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.

Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.

Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Ky vendim u shpall sot, në datën 28.9.2023.