Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se seanca dëgjimore për subjektin e rivlerësimit, z. Andri Ymeri, datë 12.12.2022, u ndërpre përsëri gjatë ditës së sotme, pasi subjekti i rivlerësimit kërkoi përjashtimin e dy prej anëtarëve të trupit gjykues.
Në këto kushte, trupi gjykues, i përbërë nga znj. Pamela Qirko kryesuese, znj. Genta Tafa (Bungo) relatore dhe znj. Firdes Shuli anëtare, pasi u tërhoq në dhomë këshillimi në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, njoftoi se vendosi t’i përcjellë Komisionit kërkesat e subjektit për t’u shqyrtuar nga trupa të tjera gjykuese të caktuara me short.
Për rrjedhojë, Komisioni ndërpreu seancën dëgjimore, duke njoftuar se do të vijojë atë në datën 13.12.2022, ora 15:00.