Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, po kryen me përgjegjësi  dhe transparencë të plotë rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Nga muaji shkurt i vitit 2018 deri në muajin dhjetor të vitit 2019, Komisioni ka marrë 221 vendime: 94 vendime për konfirmim në detyrë për subjektet e rivlerësimit; 83 vendime për shkarkim nga detyra për subjektet e rivlerësimit; dhe 19 vendime për ndërprerje të procesit  sipas nenit G, të Aneksit të Kushtetutës, pas dorëheqjes së subjektit të rivlerësimit. Është pushuar procesi i rivlerësimit për 8 subjekte, në bazë të nenit 56, të ligjit nr. 84/2016 (dorëheqje nga detyra brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 84/2016).

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, bazuar në nenin 95 të Kodit të Procedurave Administrative,  në ligjin nr. 96/2016 dhe në  ligjin nr. 84/2016, ka përfunduar procesin e rivlerësimit pa një vendim përfundimtar për 16 subjekte rivlerësimi (15 prej të cilëve iu kishte mbaruar statusi i magjistratit për shkak të mbushjes së moshës për pension). Komisioni ka marrë vendim për pezullimin nga detyra për një periudhë 1-vjeçare për 1 subjekt rivlerësimi.

Në bazë të nenit 4, të ligjit nr. 84/2016, Komisioni ka të drejtë të marrë vendimin përfundimtar për subjektet e rivlerësimit bazuar në një ose disa prej kritereve të vlerësimit, në vlerësimin e përgjithshëm të të tria kritereve ose në vlerësim tërësor të procedurave.

Gjatë kësaj periudhe pjesa më e madhe e vendimeve të Komisionit është bazuar  në vlerësimin e subjektit mbi tri kritere (vlerësimi i pasurisë; vlerësimi i figurës; dhe vlerësimin e aftësive profesionale). Vendimet e tjera janë marrë bazuar në një ose dy prej kritereve të  vlerësimit, kjo si rezultat i qartësisë së gjetjeve dhe i  krijimit të bindjes së brendshme të trupit gjykues në vendimmarrje, por gjithashtu edhe për ekonomi gjyqësore. Nga shkurti i vitit 2018 deri  në  dhjetor 2019  − 141 vendime janë dhënë bazuar në të tria kriteret e vlerësimit, 13 vendime bazuar në dy kritere  vlerësimi dhe 25 vendime bazuar vetëm në një kriter vlerësimi.

Ndërsa vetëm për periudhën shtator 2019 − dhjetor 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit  ka prodhuar këto rezultate, si më poshtë:

13 vendime konfirmim në detyrë;

15 vendime shkarkim nga detyra;

4 vendime ndërprerje procesi sipas nenit G, të Aneksit të Kushtetutës.

Nga 32 vendime në total për këtë katër mujor 29 vendime janë marrë në unanimitet, ku të gjithë anëtarët e trupit gjykues kanë votuar në mënyrë të njëjtë, ndërsa  në 3 prej tyre me shumicë votash.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit garanton qytetarët se do të vijojë punën me intensitet për të realizuar deri në fund procesin e rivlerësimit, duke  zbatuar vetëm Kushtetutën dhe ligjin.

Të dhënat statistikore më të detajuara gjenden në dy raportet bashkëlidhur.

Raporti-shkurt-2018-dhjetor-2019.

Raporti-shtator-dhjetor-2019.