Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën, 10.9.2021 për subjektin e rivlerësimit, z. Julian Çafka bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, në datën 14.9.2021, vendosi:
- Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Julian Çafka, drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër.
- Transferimin e çështjeve që i korrespondon procedimit penal nr. 424, datë 16.7.2018, si dhe procedimit penal nr. 958, datë 1.10.2019, në Organin Kompetent për inspektimin e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore, bazuar në pikën 4 të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016.
Vendimi, i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Etleda Çiftja, znj. Brunilda Bekteshi relatore dhe z. Roland Ilia anëtar, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim,me përjashtim të pikës 2, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.