Anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) pritën sot, më 22 nëntor 2021, një delegacion me gjyqtarë nga Armenia, në kuadër të një vizite studimore që ata po zhvillojnë në funksion të konsolidimit të sistemit të drejtësisë në vendin e tyre. Roli dhe misioni i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, sfidat me të cilat është përballur ky organ kushtetues, si kryhet procesi i rivlerësimit si dhe çështje të tjera të organizimit dhe funksionimit të institucionit ishin në fokus të takimit. Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit Znj. Pamela Qirko u bëri gjyqtarëve nga Armenia një rezyme të ecurisë së deritanishme të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Duke u ndalur te sfidat Znj. Qirko tha se “Ky organ kushtetues gjatë kësaj periudhe 4 vjeçare është përballur me sfida e vështirësi të shumta, të cilat janë tejkaluar me vullnet e profesionalizëm”. Delegacioni nga Armenia pati mundësinë të zhvillojë një sesion pyetje-përgjigjesh me disa nga Komisionerët pjesëmarrës në takim, duke mbledhur informacione të vlefshme, nisur nga përvoja dhe eksperienca 4-vjeçare e anëtarëve të KPK mbi procesin e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët në Republikën e Shqipërisë.