KPK asiston dhe trajnon Trupën Vlerësuese pranë AMP-së

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) trajnon dhe shkëmben eksperienca me anëtarë të Trupës Vlerësuese pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) në kuadër të procesit të vettingut në Polici.

Gjatë sesioneve të zhvilluara në datat 5-6 qershor 2023, këshilltarë ligjorë dhe ekonomikë të KPK-së shkëmbyen njohuritë dhe eksperiencat e tyre të fituara përgjatë procesit 6-vjeçar të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, duke asistuar kështu në rritjen e kapaciteteve profesionale të Trupës Vlerësuese të angazhuar në procesin e vlerësimit kalimtar e periodik në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Trajnimi u përqendrua kryesisht tek aspektet e procesit të rivlerësimit, që lidhen me verifikimin e pasurisë dhe kontrollin e figurës, për të kontribuuar në zhvillimin e një procesi të paanshëm e të bazuar në legjislacion.

Këshilltarët e KPK-së realizuan disa prezantime gjatë trajnimit, iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Trupës Vlerësuese në Polici, si dhe shkëmbyen opinione në lidhje me sfidat e procesit të rivlerësimit.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të vijojë bashkëpunimin me institucionet e tjera shtetërore, ndërsa mbetet i angazhuar në shkëmbimin e eksperiencave dhe përfitimin e përvojave më të mira në funksion të një procesi vettingu sa më transparent, profesional e të paanshëm.