Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se shqyrtoi të gjithë dokumentacionin e dërguar nga institucionet e vlerësimit dhe zhvilloi një procedurë të thellë hetimi administrativ, bazuar në të tria kriteret e rivlerësimit, duke dëgjuar subjektin në seancën e datës 18.07.2022.

Me vendim të ndërmjetëm Nr. 496 Akti, datë 20.07.2022, trupi gjykues vendosi: “Pezullimin nga detyra të znj. Jurida Bajraktari, për një periudhë 1-vjeçare dhe detyrimin e saj për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës”.

Me shkresën nr. 547 prot., datë 21.07.2023, Shkolla e Magjistraturës ka dërguar pranë Komisionit rezultatet e provimit përfundimtar të subjektit, bazuar në pikën 2 të nenit 60 të ligjit nr. 84/2016.

Bazuar në rezultatet e arritura, të miratuara nga Këshilli Pedagogjik, si dhe Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, me vendimin nr. 31, datë 18.07.2023, konstatohet se subjekti i rivlerësimit, znj. Jurida Bajraktari, ka arritur rezultate të mira, duke i kaluar mangësitë e parashtruara në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ky trup gjykues, pasi zhvilloi seancën e datës 18.07.2022, në përputhje me pikën 6 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, shpalli vendimin e ndërmjetëm të datës 20.07.2022, administroi rezultatet e arritura nga subjekti gjatë programit të trajnimit pranë Shkollës së Magjistraturës dhe pasi i diskutoi ato në dhomë këshillimi, e konsideron të përfunduar procesin e rivlerësimit për subjektin e rivlerësimit, znj. Jurida Bajraktari.

Në përfundim të këtij procesi, trupi gjykues, i përbërë nga:

Genta Tafa (Bungo)                Kryesuese

Valbona Sanxhaktari              Relatore

Lulzim Hamitaj                        Anëtar

                                                                          VENDOSI:

Konfirmimin në detyrë të znj. Jurida Bajraktari, ndihmëse ligjore në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.

Vendimi, i arsyetuar me shkrim, u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve pas përfundimit të kësaj seance dëgjimore dhe publikohet në faqen zyrtare të Komisionit, në përputhje me pikën 7 të nenit 55 të ligjit nr. 84/2016.

Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të arsyetuar të Komisionit.

Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Ky vendim u shpall, sot, në datën 25.9.2023.