Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, znj. Pamela Qirko mori pjesë në tryezën e organizuar nga Ministria e Drejtësisë me temë “Reforma në Drejtësi – 5 vjet më pas: Finalizimi i Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë 2021-2025″. Në fjalën e saj, znj. Qirko theksoi se përpos ndryshimit që solli kjo Reformë, procesi i rivlerësimit pastroi sistemin e vjetër nga gjyqtarët e prokurorët që nuk meritonin të qëndronin në detyrë, duke dhënë mesazhe të qarta e duke ndikuar në krijimin e një mendësie të re, me qëllim rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e drejtësisë dhe shteti i së drejtës.
“Sigurisht pritshmëritë janë të larta. Po ashtu, edhe angazhimi dhe këmbëngulja e të gjithë anëtarëve të Komisionit, janë në të njëjtën frekuencë me objektivin që synohet të arrihet dhe rezultatet që pritet të arrihen nga Komisioni, në Strategjinë Ndërsektoriale në Drejtësi, 2021-2025.
Kjo Strategji e re në Qëllimin e Politikës 1 dhe në 2 Objektivat Specifikë të tij, e vendos Komisionin e Pavarur të Kualifikimit – si institucion përgjegjës, duke i atashuar njëkohësisht edhe rezultatet e pritshme për finalizimin e procesit të rivlerësimit të të gjithë subjekteve. Këto politika dhe objektiva specifikë janë njëherësh përgjegjësi dhe shtysë që Komisioni të përmbushë misionin e tij kushtetues sipas projeksioneve dhe afateve që vendos Strategjia e re 2021-2025,” – u shpreh ndër të tjera znj. Qirko.
Kryetarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shprehu falënderimet e saj në drejtim të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), institucioneve bashkëpunuese, si dhe ndaj Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë për mbështetjen e procesit të rivlerësimit.
Në këtë tryezë në kuadër të 5-vjetorit të Reformës në Drejtësi morën pjesë Ministrja e Drejtësisë, znj Etilda Gjonaj, Ambasadorja e SHBA në Tiranë, znj. Yuri Kim, Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreca, Drejtuesja e misionit Euralius V, znj. Agnes Bernhard, si edhe krerët e institucioneve të reja të drejtësisë.