Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore, datë 21.4.2021, për subjektin e rivlerësimit, z. Ilir Përdeda, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më 23.4.2021, vendosi:
1. Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Ilir Përdeda, gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
2. Bazuar në pikën 4, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, transferimin pranë organit kompetent për inspektimin e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të dy dosjeve, si vijon:
- lidhur me çështjen civile-administrative nr. 212662-01111-53-2015, të shqyrtuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për të cilën është dhënë vendimi nr. 255, datës 21.4.2016;
- lidhur me vendimin nr. 64, datë 18.2.2016, mbi ndryshimin e masës të sigurisë personale ndaj shtetasit me iniciale P. D., që i përket procedimit penal nr. 996, datë 22.10.2015, për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve”, në bashkëpunim të shqyrtuar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga z. Lulzim Hamitaj, znj. Pamela Qirko relatore, znj. Genta Tafa Bungo anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit.
Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.