RISHPALLJE VENDI VAKANT PËR NJË POZICION KËSHILLTAR LIGJOR
Në zbatim të nenit 22 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpall fillimin e procedurave për personat e interesuar që kërkojnë të aplikojnë për pozicionin e Këshilltarit Ligjor, me kategorinë e pagës: 80% e G3.
Kandidati duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:
- Të ketë përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi me diplomë “Master shkencor”, në Shqipëri, ose studimet universitare për drejtësi jashtë vendit dhe të ketë marrë diplomë të njësuar sipas legjislacionit në fuqi për njësimin e diplomave.
- Të zotërojë shumë mirë gjuhën angleze.
- Të ketë shtatë vjet përvojë pune në sistemin e drejtësisë ose në administratën publike.
Kushte të përgjithshme:
- Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret për t’u pajisur me certifikatë sigurie sipas vendimit nr. 188, datë 4.3.2015, të Këshillit të Ministrave.
- Ndaj tij të mos jetë nisur procedim penal dhe të mos jetë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose kundërvajtje penale.
- Ndaj tij të mos jetë marrë masë disiplinore me largim nga detyra ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit, në momentin e aplikimit.
- Kandidatët duhet të kenë aftësi për t’u përshtatur dhe punuar në grup, nën presion, si dhe në afate kohore të limituara.
Kandidati i interesuar duhet të dorëzojë dokumentet e mëposhtme:
- Kërkesë me shkrim, shprehje interesi.
- Jetëshkrim profesional, përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare.
- Kopje të dokumenteve (diplomë, letërnjoftim dhe librezë pune (origjinale ose të noterizuar).
- Dëshmi penaliteti.
- Vlerësimin e fundit nga eprori direkt.
- Çdo dokumentacion tjetër që vërteton plotësimin e kushteve të mësipërme, si dhe trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrim.
Aplikimet duhet të dorëzohen brenda datës 26.4.2022 pranë institucionit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në adresën: “Rruga e Kavajës”, ish-godina “Lidhja e Shkrimtarëve”, Tiranë, zyra e protokollit, nga e hëna-premte, ora 8:30 – 17:00, ose nëpërmjet postës elektronike në adresën: info@kpk.al , që konfirmon marrjen e aplikimit përkatës.
Trupi gjykues, i përbërë nga znj. Pamela Qirko kryesuese, znj. Brunilda Bekteshi relatore dhe z. Olsi Komici anëtar, sot, në datën 4.4.2022, njoftuan në seancë publike se me vendim të ndërmjetëm në dhomë këshillimi, në prani edhe të vëzhguesit ndërkombëtar, kanë vendosur riçeljen e hetimit administrativ për subjektin e rivlerësimit, z. Bledar Bejko, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Data për seancën e radhës do të njoftohet sërish në faqen zyrtare të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Subjekti: Z. Bledar Bejko, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), Salla B, Kati 0.
Trupa Gjykuese: Olsi Komici, Pamela Qirko, Brunilda Bekteshi
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancave dëgjimore në datën 7.1.2022 dhe në datën 29.3.2022 për subjektin e rivlerësimit, z. Erjon Shehaj, i bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, në datën 1.4.2022, vendosi:
1. Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Erjjon Shehaj, prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
2. Bazuar në pikën 4, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, transferimin pranë organit kompetent për inspektimin e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore të dosjve si vijojnë:
Lidhur me procedimin penal nr. 628/2014 për të cilin subjekti ka vendosur pushimin e tij për veprën penale “goditje për shkak të detyrës” me të pandehurin N. LL. dhe lidhur me kallëzimin e shtetasit D. G., regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në datën 11.3.2015, me numër procedimi 240, për veprën penale “kanosje të gjyqtarit”.
Vendimi i arsyetuar me shkrim, nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Alma Faskaj, znj. Pamela Qirko relatore dhe znj. Brunilda Bekteshi anëtare, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim, me përjashtim të pikës 2, mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore në datën 30.3.2022 për subjektin e rivlerësimit, z. Aurel Arapi i bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, në datën 1.4.2022, vendosi:
1. Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Aurel Arapi, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin.
2. Transferimin e çështjes penale të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, me numer procedimi 155/2017 dhe vendim nr. 52, i datës 2.11.2018, në organin kompetent për inspektimin e shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore, bazuar në pikën 4, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga znj. Valbona Sanxhaktari, z. Lulzim Hamitaj relator dhe znj. Genta Tafa Bungo anëtare, do t’i njoftohet subjektit të rivlerësimit, Komisionerit Publik dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim me përjashtim të pikës 2,mund të ankimohet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
NJOFTIM PËR SHTYRJEN E SEANCËS PËR SHPALLJEN E VENDIMIT PËR SUBJEKTIN HYSNI MULAJ
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se seanca për shpalljen e vendimit për subjektin Hysni Mulaj, e datës 1 prill 2022, ora 8:30, për shkaqe objektive, nuk do të zhvillohet.
Data e seancës së radhës do të njoftohet në faqen zyrtare të Komisionit.