Lulzim Hamitaj
Komisioner
Diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Universitetin “La Sapienza” në Romë, Itali. Diplomën e juristit z. Hamitaj e ka mbrojtur edhe në Spanjë, në Universitetin e Valencias. Në vitin 2015 ka përfunduar masterin profesionalo-shkencor në të drejtën penale dhe kriminologji, në Universitetin Internacional “UNISED” në Milano. Z. Hamitaj është në përfundim të studimeve shkencore për të mbrojtur gradën “Doktor” në të drejtën e procedurës penale në Universitetin “La Sapienza”. Është kualifikuar si avokat, ndërsa ka licencë avokatie edhe në Spanjë. Ai ka ushtruar profesionin e avokatit në Romë. Z. Hamitaj është ekspert në të drejtën ndërkombëtare, penale, civile, financiare, fiskale dhe administrative. Po ashtu ka marrë pjesë në shumë konferenca shkencore, seminare e kurse të ndryshme. Ai ka kontribuar edhe në fushën e mësimdhënies si pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Avokati Hamitaj është njohës i disa gjuhëve, si anglisht, italisht, spanjisht e frëngjisht. Pas një eksperience më shumë se 16-vjeçare si jurist, z. Hamitaj u emërua në qershor të vitit 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Firdes Shuli
Komisionere
Diplomuar “Jurist” në vitin 1988 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Universiteti i Tiranës. Në vitin 2009, znj. Shuli u diplomua edhe në degën Administrim Publik në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Universitetin “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Ajo ka një karrierë profesionale prej 21 vitesh në sistemin e drejtësisë, duke nisur që nga viti 1988 si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër dhe më pas si kryetare e kësaj Gjykate, për tre vjet. Znj. Shuli është licencuar nga ministri i Drejtësisë si notere dhe, në vitet 1996-2017, ka ushtruar detyrën e noteres në Dhomën e Noterisë Gjirokastër. Nga viti 2000 deri në vitin 2004, ajo ka ushtruar edhe profesionin e pedagoges në lëndët “E drejtë biznesi” dhe “E drejtë kushtetuese” pranë Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër. Nga viti 2001 deri në vitin 2017, noterja Shuli ka qenë anëtare e Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Noterëve në Republikën e Shqipërisë. Ndërsa nga viti 2015 deri në 2017 ajo ka qenë anëtare e Kryesisë së Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Noterëve. Znj Shuli ka kryer disa trajnime, ndërsa ka marrë pjesë në konferenca e seminare brenda dhe jashtë vendit, të organizuara nga Dhoma Kombëtare e Noterisë. Znj. Shuli është njohëse shumë e mirë e gjuhës angleze. Në qershor të 2017 znj. Shuli, me vendim të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, u zgjodh si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Etleda Çiftja
Komisionere
Diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Znj. Çiftja është juriste me më shumë se 16 vjet eksperiencë, kryesisht në sektorin e ndërtimit, pronave, kuadrit rregullator për lejet dhe licencat në fusha të ndryshme të ligjit. Ka kryer trajnime të shumta ndërkombëtare në fushën e lidershipit/menaxhimit; hartimit dhe negocimit të kontratave; auditimit të përputhshmërisë me etikën dhe të antikorrupsionit. Ajo mban titullin “Avokat” që nga viti 2001. Karrierën e saj, znj. Çiftja e ka nisur si ndihmëse ligjore në një zyrë avokatie. Për periudhën 2001- 2009, znj. Çiftja ka punuar pranë kompanisë greke “Egnatia O.Albania”, pjesë e grupit të kompanive greke “Egnatia Group of Companies” , në pozicionin e këshilltares së përgjithshme/drejtores ligjore dhe rregullatore për zbatimin e projektit të përhapjes së rrjetit të telefonisë celulare “AMC”, në fushën e telekomunikacionit. Për periudhën 2009- 2017, juristja Çiftja ka punuar pranë shoqërisë së mirënjohur norvegjeze “Statkraft AS” për filialin e krijuar prej saj në vendin tonë, “Devoll Hydropower sh.a.”. Në këtë kompani, znj. Çiftja ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme drejtuese dhe menaxheriale, si këshilltare e përgjithshme/drejtore ligjore për Shqipërinë, drejtuese për përputhshmërinë me Kodin e Etikës, si edhe anëtare e bordit menaxhues të shoqërisë. Pas 8 vitesh në funksione të ndryshme pranë kësaj kompanie, znj. Çiftja u zgjodh në qershor 2017 nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë në postin e Komisioneres pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ajo ka marrë pjesë në kualifikime të ndryshme profesionale, brenda dhe jashtë vendit. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe italiane.
Brunilda Bekteshi (Vasha)
Komisionere
Diplomuar “Jurist” në vitin 1999 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Universiteti i Tiranës. Znj. Brunilda Bekteshi (Vasha) është licencuar si avokate në vitin 2003, ndërsa në vitin 2012 ajo ka marrë edhe licencën si përmbaruese gjyqësore. Eksperienca e saj profesionale ka nisur në vitin 2000, fillimisht si asistente ligjore në një studio avokatie. Nga viti 2001 deri në vitin 2008, znj. Bekteshi (Vasha) ka shërbyer si juriste në KESH sh.a., OSSH sh.a. Pas kësaj eksperience, në vitin 2008 ajo fitoi titullin diplomate pranë Ambasadës Shqiptare në Turqi për shkak të funksionit të bashkëshortit. Pas rikthimit në atdhe, znj. Bekteshi (Vasha), për një periudhë trevjeçare, ushtroi profesionin e saj të juristes në pozicionin e përgjegjëses së sektorit ligjor në kompaninë “CEZ Shpërndarje”. Në vitin 2013, ajo punoi pranë OSHEE-së si përgjegjëse e sektorit të çështjeve ligjore në drejtorinë ligjore. Po në këtë institucion, ajo ka mbajtur edhe postin e shefes së sektorit të marrëdhënieve me zyrën e përmbarimit. Përvoja e punës së saj lidhet me fusha të caktuara të së drejtës, si çështjet tregtare, administrative, gjyqësore civile – penale dhe ekzekutive. Znj. Bekteshi (Vasha) është njohëse e gjuhëve të huaja anglisht dhe italisht. Në qershor të vitit 2017, avokatja Bekteshi u zgjodh nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Alma Faskaj (Vokopola)
Komisionere
Diplomuar “Jurist” në vitin 1995 në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, Universiteti i Tiranës. Ka mbrojtur gradën shkencore “Doktor” në mars 2014. Në periudhën 1995-1996, znj. Faskaj (Vokopola) ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lushnjë. Nga shtatori i vitit 1996 deri në gusht 1998 ka mbajtur detyrën e nënkryetares së Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Lushnjë. Znj. Alma Faskaj (Vokopola) ka një eksperiencë të gjatë si lektore, duke e ushtruar këtë profesion në universitete publike dhe jopublike të vendit, si dhe pedagoge e Shkollës së Magjistraturës nga viti 1998 e në vazhdim. Nga gushti 1998 deri në dhjetor 2011 ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në institucionin e Avokatit të Popullit. Nga dhjetori 2011 deri në prill 2014 ka ushtruar detyrën e ndihmëses ligjore në Prokurorinë e Përgjithshme. Para emërimit të saj si Komisionere në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore në Njësinë e Përafrimit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe ka qenë pjesë e Sekretariatit Teknik gjatë procesit të Reformës në Drejtësi. Dr. Alma Faskaj (Vokopola) është autore e shumë artikujve shkencorë në fushën e së drejtës administrative, ndërsa ka marrë pjesë si referuese në shumë konferenca e seminare. Është njohëse shumë e mirë e gjuhëve angleze, italiane dhe frënge.
Vendi: Pallati i Koncerteve (Ish pallati i Kongreseve),Kati i 2-të.
Trupi Gjykues: Brunilda Bekteshi, Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë17.04.2018 për subjektin e rivlerësimit, znj. Besa Nikëhasani, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 20.04.2018, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Besa Nikëhasani, prokurore pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Suela Zhegu, znj. Genta Tafa (Bungo) relatore dhe znj. Pamela Qirko anëtare do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Vendi: Pallati i Koncerteve (Ish pallati i Kongreseve),Kati i 2-të.
Trupi Gjykues: Suela Zhegu, Pamela Qirko, Genta Tafa (Bungo)
DEKLARATË PËR SHTYP
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vëren se në disa media janë publikuar informacione rreth procesit të rivlerësimit apo rezultatit të tij për subjekte konkretë, në të cilat është cituar si burim informacioni ky Komision.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thekson faktin se komunikimi mbi të dhënat e procesit të rivlerësimit në përgjithësi, apo për raste të veçanta, bëhet VETËM nëpërmjet komunikimit zyrtar, siç është faqja zyrtare e internetit të këtij institucioni, koordinatori për mediat dhe/ose vendimet e trupave gjykuese mbi rastet individuale.
Çdo informacion tjetër, i marrë jashtë komunikimit zyrtar, mbi procesin e rivlerësimit NUK është i autorizuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe nuk shpreh qëndrimin e tij.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 11.04.2018 për subjektin e rivlerësimit, z. Besim Trezhnjeva, bazuar në ligjin nr.84/2016, sot, më datë 13.04.2018, vendosi:
Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Besim Trezhnjeva, gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës.
Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupa gjykuese e kryesuar nga znj. Alma Faskaj, znj. Firdes Shuli relatore dhe z. Roland Ilia anëtar, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve.
Ky vendim ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.




