Në kuadër të transparencës dhe bashkëpunimit me publikun, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, duke marrë shkas nga numri i lartë i ankesave të qytetarëve, dëshiron të informojë edhe një herë publikun se misioni i KPK-së nuk është të rishikojë vendimet e gjykatave, por të mbledhë të dhëna, prova dhe fakte konkrete lidhur me veprime korruptive apo shkelje ligjore të subjekteve të rivlerësimit.
Në vitin 2017, në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit janë depozituar 334 ankesa, ndërsa gjatë ditëve të para të vitit 2018 ka pasur 30 ankesa nga qytetarët.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstaton se nuk janë depozituar nga qytetarët prova dhe fakte konkrete lidhur me subjektet që do të rivlerësohen në bazë të tri kritereve të parashikuara në ligjin nr.84/2016, por bëhet fjalë për ankesa ndaj vendimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta nga ana e sistemit të drejtësisë.
Qytetarët kanë paraqitur të njëjtat argumente me të cilat janë mbrojtur edhe në gjykatë, ose kanë dorëzuar thjesht vendimet e gjykatave. Për të denoncuar subjektet e rivlerësimit (gjyqtarët dhe prokurorët), Komisioni ka vënë në dispozicion formularin e posaçëm të denoncimit, që gjendet online në faqen zyrtare kpk.al. Ky formular mund të plotësohet me ndihmën e një punonjësi të KPK-së, në mjediset e këtij institucioni, në adresën: Rruga e Kavajës, ish-godina e “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit inkurajon qytetarët që çdo informacion të vlefshëm që mund të kenë (fotografi, dokumente e të dhëna të tjera), ta ndajnë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe të kontribuojnë në këtë proces jetik për vendin.