Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke marrë shkas nga disa lajme që janë publikuar ditët e fundit në media, dëshiron të sqarojë opinionin publik se, që prej konstituimit të tij në qershor të vitit 2017, ka pasur dhe vazhdon të ketë bashkëpunim të frytshëm me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, për të përmbushur misionin kushtetues të procesit të rivlerësimit në zbatim të ligjit nr. 84/2016 dhe në respektim të plotë të kuadrit procedural dhe kërkesave institucionale.

Për këtë qëllim, Komisioni ka vlerësuar dhe çmuar çdo rekomandim dhe opinion të vëzhguesve ndërkombëtarë, duke e konsideruar të rëndësishëm rolin e tyre kushtetues, në garantimin e një procesi rivlerësimi të drejtë e të pavarur, në funksion të rikthimit të besimit të publikut te organet e reja të drejtësisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbetet i angazhuar për të ushtruar me paanshmëri, profesionalizëm dhe pavarësi detyrat dhe funksionet e ngarkuara me ligj, për të kryer këtë proces të rëndësishëm dhe historik për vendin.